Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike (IAMN) prej 1 gushti deri më 20 shtator të këtij viti ka realizuar hulumtimin në gjashtë komunat me shumicë serbe nën lumin Ibër (Graçanicë, Novobërd, Shtërpcë, Kllokot, Partesh dhe Ranillugë) me temën “Qëllimet dhe motivet e shitjes së pronave të serbëve në Kosovë”.

Koordinatori i këtij hulumtimi, drejtori ekzekutiv i IAMN, Fatmir Sheholli ka theksuar se hulumtimi ka ardhur si rrjedhojë e paraqitjeve publike të një numri të madh të serbve të Kosovës për shitjen e pronave të tyre nëpër agjencitë e ndryshme të patundshmërive të cilat merren me shitblerjet e pronave.

Sheholli ka pohuar se pasi që kanë hulumtuar këtë fenomen atëherë nga 1 gushti kanë filluar anketimin e serbëve në 6 komunat poshtë lumit Ibër me qëllim të zbërthimit të qëllimit dhe motivit të shitjes së pronave të tyre.

 

Në komunën e Graçanicës janë anketuar 901 pronarë të pronave të tyre. Nga hulumtimi i realizuar nga studentët serbë që janë pjesë aktive e IAMN ka rezultuar që 95 për qind e serbëve të kësaj komune janë të gatshëm që menjëherë të shesin pronat e tyre nëse çmimi i blerjes do të ishte ashtu siç e parashtrojnë pronarët e pronave.

Në komunën e Novobërdës janë anketuar 701 pronarë të pronave të tyre. Nga hulumtimi i realizuar ka rezultuar që 92 për qind e serbëve të kësaj komune janë të gatshëm që të shesin pronat e tyre.

Në komunën e Shtërpcës janë anketuar 801 serbë pronarë të pronave të tyre. Nga hulumtimi i realizuar ka rezultuar që 73 për qind të tyre janë të gatshëm të shesin pronat e tyre.

Në komunat e Anamoravës: Partesh, Kllokot dhe Ranillugë- janë anketuar gjithsej 1201 pronarë të pronave të tyre. Nga ky hulumtim ka rezultuar që në Partesh 85 për qind do t’i shitshin pronat e tyre.

Në Kllokot rezulton që 90 për qind e serbëve pronarë të pronave të tyre janë të gatshëm t’i shesin pronat e tyre. Në Ranillugë ka rezultuar që 91 për qind e serbëve janë të gatshëm t’i shesin pronat e tyre.

Sipas hulumtimit të IAMN ka rezultuar që qëllimi i një vale të këtillë të dëshirës për shitjen e pronave të serbëve të komunave me shumicë serbe nën lumin Ibër është:

-Demotivimi për një perspektivë të ardhshme

-Pa perspektiva për fëmijët e tyre

-Mundësia për një jetë më të mirë

Hulumtimi IAMN gjithashtu ka rezultuar edhe motivin e shitjeve të pronave të tyre:

1.Motivi është 70 për qind të familjeve të tyre jetojnë në shtetin e Serbisë.

  1. Frika për angazhimin politik në parti politike serbe përveç Listës Serbe.
  2. Deklaratat ofenduese dhe të pavërteta për serbët nën lumin Ibër të kreut të shtetit serb dhe zyrtarëve të tjerë të Serbisë se përfaqësojnë vetëm 2 ose 3 % të popullatës serbe në krahasim me serbët në veri të Kosovës.
  3. Deklaratat poshtëruese të krerëve të shtetit të Serbisë në raport me krerët e Kishës Ortodokse Serbe në Republikën e Kosovës dhe lufta speciale e mediave të kontrolluar nga regjimi serbë ndaj peshkopit Teodosije dhe Sava Janjiqit.
  4. Frika nga një konflikt eventual me shqiptarët e Kosovës për shkak të acarimit të situatës politike mes Kosovës dhe Serbisë.
  5. Pamundësia e një shkollimi të mirëfilltë dhe superior në vendet e banuara aktuale të tyre.
  6. Problemet e mëdha në sferën e punësimit.
  7. Politizimi i skajshëm në çdo sferë jetësore.
  8. Degradimi i vlerave tradicionale familjare.
  9. Presioni konsistent i shtetit të Serbisë që fëmijët e tyre të mos punësohen në FSK.