Emanuel Demaj anëtar i bordit të IAMN-së për marrëdhënie me Vatikanin në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, e ka quajtur si shumë të rëndësishme vendimin e Vatikanit për kishën e Kosovës, e cila nga Administratura Apostolike, tani do të jetë Ipeshkvi e pavarur me emër Prizren-Prishtinë dhe do të jetë e lidhur drejtpërdrejt me Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Demaj tha se realisht kisha e ka pasur edhe më herët këtë epitet nga Vatikani, por pas situatave të ndryshme politike  që ka kaluar vendi ynë, kjo ka kaluar në administraturë apostolike.
“Por tani me dekretin e sekretarit të shtetit dhe Papa Franceskut, Kisha Katolike tani është plotësisht e pavarur dhe raporti i saj është i lidhur direkt me Vatikanin. Mendoj se ky është një sinjal i mirë, jo vetëm për kishën, por edhe për Kosovën, pasi që një Ipeshkvi funksionon në një shtet edhe pse ende ne nuk jemi të njohur nga Vatikani. Ky është një sinjal pozitiv dhe mendoj se Vatikani çdo ditë e më shumë po shkon drejt njohjes së shtetësisë së Kosovës.“
Ai tha se, sinjale pozitive nga Vatikani  ka pasur qysh pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por ne duhet të shohim pak edhe diplomacinë tonë se sa kemi punuar ne në këtë drejtim.
“Kemi pas vizita të shumta të krerëve më të lartë të shtetit në Vatikan, por pa ndonjë sukses rreth njohjes. Edhe gjashtë vjet pasi Vatikani kishte caktuar delegatin për Kosovë s’ka pasur rezultate. Presidenti Thaçi edhe pse kishte caktuar ambasador atje, ata nuk e kanë refuzuar por e kane pranuar sipas rregullave të tyre. Ne shpesh herë Vatikanin e përdorim veç për publicitet ka thën Demaj.“